Hanukah
Hanukah, ( ( חנוכהFesta e Dritave, zgjat per 8 ditë e netë. Një Shandan (Hanukia) unik me 9 krahë për qirinj, përdoret për këtë festë. Ndezja e qirinjve është akti kryesor gjatë Hanukasë. Qiriu i mesit shërben si qiri ndezës për të tjerët dhe qiriu i parë në të djathtë është qiriu që ndizet në ditën e parë dhe çdo ditë shtojmë nga një qiri të ndezur. Në këtë mënyrë në ditën e tetë do të kemi të nëntë qirinjtë e ndezur që simbolizojnë djegien e lëndës djegëse pas fitores së Makabenjve.
Hanukah është një festë që simbolizon fitoren e Makabenjve mbi ushtrinë greke-siriane të udhëhequr nga Antioku, si dedikim ndaj Tempullit të dytë që u përdhos gjatë pushtimit greko– sirian. Mrekullia e Hanukasë konsiston në faktin se dritat e Hanukias u dogjën për 8 ditë rresht pavarësisht sasisë së vogël të lëndës djegëse që mjaftonte vetëm për një ditë.
Hanukah është një festë e gëzueshme sidomos për fëmijët. Ushqimi tradicional për këtë festë është ushqimi i skuqur ne vaj sidomos petullat që mbushen me recel dhe quhen “Sufganjot”. Të gjithë anëtarët e familjes luajnë me lojën Sevivon dhe rituali i vjetër ku i jipej fëmijëve lekë xhepi është konvertuar në dhënien e dhuratave gjatë kësaj periudhe festive. |
|
Tu Be Shvat
Tu Be Shvat, ) ט"ו בשבט ) festohet në ditën e 15 të muajit Shvat sipas kalendarit Hebraik, domethënë në fund të janarit ose në fillim të shkurtit. Hebrenjtë sefaradikë gjithashtu e quajnë këtë festë FRUTAS.
Tu Be Shvat feston Vitin e Ri të Pemëve dhe është një nga katër Vitet e Rinj të përmendura në Mishnah. Tradicionalisht gjatë kësaj feste mbillen pemë dhe konsumohen si ushqim fruta, fiq të thatë, bajame, etj. Gjatë festës së Tu Be Shvat në Izrael lulëzon dhe pema e Bajames. |
|
Purim
Purimi (פורים ) festohet më date 14 të muajit Adar sipas kalendarit hebraik, domethënë në fund të shkurtit apo në fillim të marsit.
Purimi është festa hebraike më e hareshme. Sipas traditës, historia e Mbretëreshës Ester është lexuar nga libri i Esterit ( ose në hebraisht Megilat Ester). Megila, është një pergamen i shkruar me shkrim dore dhe i palosur në dy cilindra që zakonisht janë të vendosur brenda një kutie druri apo metali. Nganjëherë kutitë për Megilan kanë qenë edhe prej argjendi apo filigrami. Sipas traditës së vjetër hebraike gjatë leximit të Megilat Ester, kur përmendet emri i Hamanit që është dhe antagonisti në këtë tregim, duhet të bëhet sa më shumë zhurmë me lodrën që në hebraisht quhet Raashan. Për më tepër, gjatë kësaj feste organizohet edhe një paradë, jepen ndihma për më të varfërit, lexohen lutje të veçanta si dhe Megilat Ester nëpër Sinagoga.
Historia e Mbretëreshës Ester tregon që Hamani, Veziri i mbretërisë Persiane, planifikon për të shfarosur hebrenjtë që ndodhen në këtë mbretëri. Esteri, hebreje nga origjina si dhe gruaja e dytë e Mbretit Ahasuero, me ndihmën e xhaxhait të saj Mordehai, zbulojnë komplotin e Vezirit dhe arrijnë të shpëtojnë popullin hebre. Esteri është hebreja e parë në histori që shpëtoi popullin hebre nga shfarosja.
Emri i kësaj feste e ka rrënjën nga fjala e vjetër hebreje Pur (që do të thotë shumë). Historia tregon se Hamani hodhi short per të vendosur datën në të cilën do të shfaroseshin hebrenjtë. |
|
Pesah
Pesach (פסח ) fillon në ditën e 14 të muajit Nisan sipas kalendarit hebraik, në mars ose prill. Pesah është një nga 3 festat e pelegrinazhit – në Pesah hebrenjtë e lashtësisë bënin pelegrinazh në Jeruzalem dhe ofronin flijime. Pesah është quajtur edhe Festa e Pranverës (Hag Aviv në hebraisht) për shkak të faktit që është gjithmonë në pranverë si dhe festa e Matcave (Hag HaMatzah në hebraisht), sepse vetëm bukë pa maja konsumohet gjatë kësaj feste. Pesah përkujton eksodin e popullit izraelit nga Egjipti.
Seder, është një ritual i veçantë fetar që ndodh në shtëpitë e hebrenjve në dy netët e para të festës. Fjala Seder në hebraisht do të thotë renditje dhe kjo nënkupton rendin e rreptë të darkës festive, leximin e lutjeve dhe të Hagadah Pesah (tregimit të Pesah në hebraisht).
Gjatë darkës së Seder Pesah, lexohet "Hagadah shel Pesah" dhe pihen 4 gota verë. Pjata e Seder Pesah (Keara ne hebraisht) përmban gatime të veçanta që secili prej tyre simbolizon skllavërinë e hebrenjve dhe eksodin e tyre nga Egjipti: maca (buka pa maja), krah pule, veza e zier, maror( barishte të hidhura që simbolizojnë jetën e hidhur të popullit hebre kur ishte i skllavëruar), haroset (përzierje frutash, arrash dhe verë të kuqe), karpas ( selino ose majdanos) dhe hazeret ( një lloj rrënje e hidhur).
Ha Agada rrëfen ngjarjen lidhur me festën, historinë e ardhjes së bijve të Izraelit në Egjipt dhe eksodin e tyre, nevojën e flijimeve të Pesah gjatë periudhës së Tempullit të Dytë dhe përdorimin e matzove dhe barishteve të hidhura. |
|
Jom Ha Shoah
Yom Ha Zikaron la Shoah ve-la G'vurah (יום הזיכרון לשואה ולגבורה ), “ Dita përkujtimore e Holokaustit dhe e Heroizmit, njihet në Izrael dhe jashtë tij si dita e Shoah-s kut Izraeli përkujton 6 milion hebrenj, të cilët humbën jetën e tyre si rezultat i akteve barbare të kryera nga Gjermania naziste dhe bashkëpunëtorët e saj si dhe përkujtohet rezistenca e hebrenjve në këtë periudhë të errët. Në Izrael kjo ditë është një ditë kombëtare përkujtimore. Kjo ditë e ka zanafillën e saj në vitin 1953, e mbështetur në një ligj të nënshkruar nga Kryeministri i Izraelit i asaj kohe, David Ben Gurion dhe Presidenti Jichak Ben Cvi. Kjo ditë përkujtohet më 27 të muajit Nisan (prill/maj) përveç rasteve kur kjo datë bie në ditë Shabati, rast kur data zhvendoset me një ditë. Jashtë Izraelit, ka një ditë ndërkombëtare për Holokaustin që daton më 27 Janar, por ka dhe shtete të caktuara që kanë data te tjera. |
|
Jom Ha Zikaron
Yom Hazikaron (יום הזיכרון ) dhe e plotë “Jom Ha Zikaron le Halalej Maarahot Israel ve Nifgaej Peulot Ha Ejva”, është dita zyrtare e Izraelit kur përkujtohen ushtarët e rënë në të gjitha luftërat si dhe viktimat e terrorizmit. Kjo ditë përkujtimore kombëtare u miratua në vitin 1963 me anë të një ligji. Ndërsa për vite me radhë kjo ditë përkujtimore ka qenë e dedikuar tradicionalisht për ushtarët e rënë, nga fundi i viteve 90-të kjo datë u zgjerua në kuptim e saj duke shërbyer edhe si ditë zyrtare përkujtimi për të gjithë atë popullsi civile që ka humbur jetën nga aktet terroriste të dhunës palestineze. |
|
Jom Ha Acmaut
Yom HaAtzma`ut (יום העצמאות ) është dita zyrtare e shpalljes së Izraelit shtet i pavarur dhe përkujton Deklaratën e Pavarësisë në vitin 1948.
Jom ha Acmaut festohet me datë 5 të muajit Lyar sipas kalendarit Hebraik dhe paraprihet përherë nga Jom Ha Zikaron që është dita përkujtimore e dëshmorëve. |
|
Lag Ba Omer
Lag B`Omer (ל״ג בעומר ), është festë hebreje që festohet në ditën e 33 të numërimit të Omerit që daton me 18 të muajit Lyar.
Kjo ditë përkujtohet me festime. Interpretohet nga disa si përvjetori i vdekjes së Rabbi Shimon Bar Yochai, një i urtë Mishnaik dhe dishepulli kryesor i Rabbi Akiva në shekullin II dhe dita në të cilën ai zbuloi sekretet më të thella të Kabalas, një tekst shumë i rëndësishëm në misticizmin hebre.
Kjo datë ka disa zakone që praktikohen në Lag B `Omer, duke përfshirë ndezjen e zjarreve, pelegrinazhe në varrin e Bar Yochai në qytetin verior të Izraelit, në Meron dhe rituale të ndryshme tek varri i tij. |
|
Jom Jerushalajim
Jerusalem Day יום ירושלים )), është një festë kombëtare në Izrael që përkujton ribashkimin e Jeruzalemit dhe kalimin e Qytetit të Vjetër nën juridiksionit e Izraelit në qershor 1967. Kryetari i asaj kohe i Rabinatit të Izraelit deklaroi se kjo ditë është një ditë e vogël fetare ku duhet të falenderohet Zoti për fitoren e Luftës së 6-të Ditëve dhe përgjigjes së lutjes 2000-vjeçare “ Vitin tjetër në Jeruzalem”.
Kjo ditë festohet me ceremoni shtetërore, shërbime përkujtimore për ushtarët që humbën jetën në betejën për Jeruzalemin, parada në qendër të Jeruzalemit dhe duke u lutur nëpër sinagoga. |
|
Shavuot
Shavuot שבועות) ) festohet në ditën e 6-të të muajit Sivan sipas kalendarit hebraike, pra në fund të majit ose në fillim të qershorit. Kjo është festa e dytë nga tre festat e pelegrinazhit.
Shavuot përkujton përvjetorin e ditës kur Perëndia i dha Toran popullit të Izraelit të mbledhur në Malin e Sinait. Shavuot është e lidhur edhe me të korrat. Në kohët e lashta, korrjen e elbit e kryenin gjatë periudhës së Pesahut, kurse grurin e korrnin gjatë festës së Shavuot.
Produktet e bulmetit janë produktet kryesore që janë konsumuar gjatë kësaj feste duke gatuar edhe ushqime të veçanta nga këto produkte sic është gatimi i "Malit të Sinait" nga komuniteti sefaradik. Gjithashtu ky komunitet gjatë Shavuotëve ka një ritual ku burrat dhe djemtë nxjerrin Toran jashtë sinagogave, djemtë e rinj e mbartin në duar Toran dhe i bien përqark sinagoges shtatë herë si akt për të simbolizuar ditën kur Perëndia u dha Toran bijve të Izraelit. |
|
Tisha Be Av
Tisha B'Av (תשעה באב ), është një ditë përvjetori për hebrenjtë ku përkujtohen shkatërrimet e Tempujve të Parë dhe të Dytë në Jeruzalem si dhe shpërngulja e popullit të Izraelit nga toka e shenjtë. Gjithashtu kjo ditë përkujton edhe tragjedi të tjera që i kanë ndodhur popullit hebre në këtë datë, si masakra e romakëve mbi 100,000 hebrenj në Bejtar në vitin 132 të erës sonë.
Kjo datë e përcaktuar nga Rabinët në shekullin e dytë të erës sonë, Tisha Be Av, konsiderohet si dita më e trishtueshme në kalendarin hebraik dhe një ditë, e cila është e destinuar për tragjedi.
Tisha Be Av bien zakonisht në muajt korrik apo gusht.
Gjatë kësaj dite të gjitha veprimtaritë argëtuese janë të ndaluara. Libri i Vajtimit, i cili flet për shkatërrimin e Jeruzalemit lexohet në sinagoga ku edhe këndohen një sërë liturgjish ku vajtohet humbja e Tempujve dhe e Jeruzalemit. |
|
Rosh Ha Shana
Rosh HaShana ( ראש השנה ( Viti i Ri daton me 1 dhe 2 të muajit Tishrei sipas kalendarit hebre, pak a shumë në shtator dhe shënon fillimin e vitit të ri hebraik.
Ndryshe nga festat e tjera hebreje, të cilat janë të gëzueshme, Rosh Ha Shana dhe Jom Kipur shprehin solemnitet të thellë dhe përgjegjësi morale. Këto festa quhen edhe Jamim Noraim (dite të tmerrshme në hebraisht), pasi njeriu përballet me gjykimin qiellor. Rosh Ha Shana-ja paraqet ndarjen midis vitit të vjetër dhe vitit të ri, kur hebrenjtë i japin lamtumirën vitit që mbaroi duke kujtuar veprat e tyre të mira dhe të liga. Ata përqafojnë veprat e mira dhe pranojnë ato jo të mira, në mënyrë që të mos i përsërisin në Vitin e Ri.
Ceremonitë për vitin e ri simbolizojnë këmbënguljen e njeriut për një vit pjellor. Prandaj dhe urimet tradicionale për vitin e ri janë "Shana Tova” ose “Shana Metuka” që do të thonë në hebraisht: “Vit i mirë” ose “Vit i ëmbël”. Tradicionalisht, darka e Vitit të Ri fillohet me diçka të ëmbël, për shembull një mollë të ngjyer në mjaltë.
Ardhja e Rosh Ha Shana-s njoftohet nga rënia e një briri që shërben si një vegël muzikore e vjetër, e ngjashme me borinë. |
|
Jom Kipur
Yom Kippur (יום כיפור ) daton me 10 të muajit Tishrei sipas kalendarit hebraik dhe kjo është një festë për shlyerjen e fajit, pendimit dhe faljes. Kjo festë zgjat 25 orë agjërim dhe lutje intensive. Jom Kipur mbyll periudhën 10 ditore të reflektimit dhe pendimit që fillon në Rosh Ha Shana.
Ceremonitë në Jom Kipur fillojnë me lutjen “Kol Ha Nedarim” që këndohet në sinagoga para fillimit të shërbimit të mbrëmjes. Kjo lutje daton nga Mesjeta, është e ngarkuar me emocione të forta, duke krijuar kështu një hyrje dramatike të Jom Kipur. Jom Kipuri përfundon me “Neila” (shërbimin përmbyllës) dhe rënia e bririt shënon përfundimin e agjërimit. |
|
Sukot
Sukkot (סוכות ) festohet në ditën e 15 të muajit Tishrei sipas kalendarit hebraik, pra në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit. Kjo është një nga tre festat e pelegrinazhit. Në këto festa, hebrenjtë e lashtë bënin pelegrinazhe në Jeruzalem në mënyrë që të kishin mundësi të merrnin pjesë në festime dhe ofronin flijime në Tempullin e Shenjtë.
Sukot fillon në ditën e 5-të pas Jom Kipurit dhe ndryshon nga mënyra e festimit pasi nga kremtimi solemn i Jom Kipurit kthehet në një festim gazmor për Sukotin. Sukoti zgjat shtatë ditë, nga të cilat vetëm dita e parë festohet si festë e plotë me lutje dhe ushqime festive.
Fjala Sukot në hebraisht është shumësi i Sukah, që do të thotë kasolle. Kuptimi i festës së Sukotit është edhe bujqësor edhe historik. Nga perspektiva historike, Sukot ka të bëjë me dyzet vjetët kur hebrenjtë u endën në shkretëtirë pas eksodit nga Egjipti. Nga pikëpamja bujqësore, ajo është shprehje e mirënjohjes për të korrat në periudhën e vjeshtës.
Suka-ja (kasollja) duhet të ketë të paktën tre mure të mbyllura, ndërsa muri i katërt lihet i hapur. Materialet që përdoren për ndërtimin e kasolles janë shkopinj, degë palme, gjethe, xunkth, etj. Çatia është e përkohshme dhe përbëhet nga gjethe/degë për të lejuar rrezet e diellit dhe dritën e hënës që të depërtojnë brenda kasolles. Gjatë ditëve të festës brenda kasolles shërbehen vaktet e ushqimit si dhe në darkë, në të flenë një pjesë e konsiderueshme e pjesëtarëve të familjes. |
|